Dionisi dhe Apoloni… nga Klodi Stralla
Refleksione rreth “Natyrës së Dyfishtë” të realitetit…
Mitet e Lashtësisë janë njëherazi histori dhe art. Gjenia njerëzore ka sintetizuar në to mençurinë, përvojën dhe shpirtin e vet, të formësuar në mijvjeçarë.Të 12 Zotat e Olimpit, me Zeusin në krye, si përfaqësuesin e pushtetit suprem, përfaqësonin aspekte të ndryshme të jetës njerëzore; Poseidoni, kontrollonte detin, aq i rëndësishëm për jetën e grekërve të lashtë që jetonin kryesisht në det dhe prej detit; Hera, mbronte familjen dhe veçanërisht gruan, si nënë dhe bashkëshorte; Demetra, kujdesej për bujqësinë dhe pjellorinë e tokës, që ishte baza e jetës; Afërdita, personifikonte dashurinë dhe bukurinë tek njerzit dhe natyra; Artemida, shpezët e egra dhe gjuetinë apo Haresi, zotin e luftës dhe betejave. Por, nga të 12 zotat e Olimpit, dy janë ata që kanë paraqitur një interes të veçantë tek filozofët, studiuesit dhe poetët – Dionisi dhe Apolloni.
Sipas mitologjisë greke Dionisi dhe Apoloni ishin vëllezër, bij të Zeusit. Dionisi ishte perëndia e qejfit, dhimbjes, vuajtjes, bukurisë, çmendurisë dhe terrorit; Apolloni ishte perëndia e arsyes, shkencës, mjekësisë, ligjit dhe dijes. Ndonse vëllezër, siç shihet, ishin me karaktere krejt të kundërta dhe konfliktuale. Por kishin një gjë të përbashkët, të dy ishin perëndi të muzikës!
Dionisi trashëgoi nga Tempulli i Delfit “Flautin”, paraardhësin e instrumentave të sotme frymore si trompa, saksofoni dhe klarineta. Ndërsa Apoloni, i cili ishte më serioz e i përmbajtur, mori “Lirën”, paraardhësen e harpës, violës, violinës dhe violonçelit. Muzika apoloniane do të ishte medituese e qetësuese, ndërsa ajo dionisiane plot zhurmë dhe ritëm… Nga a para, në kohët e mëvonshme, buroi muzika me peshë, ajo klasike: e Bahut, Bethovenit, Vagnerit, Moxartit, etj, ndërsa nga i dyti buroi muzika e lehtë, ajo e vrullshmja, ritmikja, e hareshmja, gurgulluesja.
Nuk ka shkencë pa frymëzim, ashtu si nuk mund të ketë art pa fakte. Shekulli i XX-të, me fizikën kuantike të Plankut dhe atë relativiste të Einsteinit, e shndërroi shkencëtarin e heshtur, serioz, mendimtar të kohës njutoniane, në një artist të mirëfilltë krijues…
Deri para një shekulli fizikantët studionin formën, lëvizjen, përberjen fizike, forcën; tash ata ndërtojne modele, bëjnë supozime, parashikojnë fakte, për të cilat logjika formale aristoteliane ndjehet e pafuqishme të përshtatet.
Në vitin 1905, Einsteini doli me idenë se drita është objekt fizik, i përberë nga grimca shumë të vogla të quajtura fotone. Kjo ide tronditi qarqet shkencore të kohës dhe shumë shkencëtarë u distancuan prej saj. A nuk ishte provuar, me shumë eksperimente, se drita ishte thjesht një valë? Ndërsa tani, Einsteini, një i ri 26 vjecar, po thyente çdo “ligj” shkencor duke thënë se drita përbehej nga grimca! U desh viti 1926, ku danezi Nils Bohr hodhi idenë e guximshme se grimca dhe vala, megjithëse aq të ndryshme nga njera tjetra, ishin aspekte komplementare të të njëjtit realitet!! Dhe lindi kwshtu fizika kuantike, fizika e botws sw mikrokozmosit.
Shekulli i XX-të na mësoi të mendojmë në mënyrë duale (të dyfishtë), pra të pranojmë se Qenia si ajo “materiale” apo edhe ajo “shpirtërore”, në thelbin e vet, kanë natyrë të dyfishtë, në dukje kontradiktore. Në rastin e materies ky dualitet shprehet në raportin “grimcë-vale”, ndërsa në rastin e botës shpirtërore në raportin “dionisian-apolonian”.
Çdo objekt material ka njëkohësisht natyrë valore dhe të vazhdushme, e në të njejtën kohë, natyre grimcore dhe diskrete. Kjo dukuri vrojtohet më dukshëm në mikrobotë, por është e pranishme edhe në makrobotën ku jetojmë apo edhe në botën e pamatë të Universit. Po ashtu çdo qenie e gjallë, përfshi pa dyshim edhe njeriun, në thelbin e vet, ka arsyen, racionalen, intelektin dhe njëkohësisht instinktin, ndjenjën, shpirtin. Çdo sjellje dhe veprim është njëherazi produkt i veprimit të njëkohshëm të tyre.
Një filozof i njohur i Antikitetit me të drejtë thoshte se: “Mitologjia mund të lexohet në dy faza të jetës: në fëmijëri – si përallë dhe në pleqëri – si mençuri…” Vetëm tani, që jam në fazën e tretë te jetës dhe i jam rikthyer leximit të Mitologjisë, i jap të drejtë këtij filozofi të lashtësisë…
(marrë nga muri Dashamirët e Mendimit, 4 shtator 2014)
“Mitologjia,lexohet në fëmijëri si përrallë, që të vë në gjumë, ndërsa në pleqëri si mençuri, që të le pa gjumë, duke imagjinuar botën e pamatë të Universit…”